Presidenti i Francës Emmanuel Macron i ka përcjellë një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndjesë për ngatërrimin e himnit shqiptar me atë të Andorrës, duke e quajtur gabim të patolerueshëm të Federatës Franceze të Futbollit. Macron ka vlerësuar reagimin e lojtarëve shqiptare dhe ka thënë se e konsideronte sidoqoftë të nevojshme, shprehjen e një ndjesë të sinqertë. Kryeministri Rama nga ana e tij e ka çmuar gjestin e Presidentit te Francës, duke e falenderuar atë për mesazhin e tij, pavarësisht se gafa e papranueshme është bërë nga Federata Franceze e Futbollit.
Rama gjithashtu ka vlerësuar edhe mesazhin e ndjesës nga vetë Federata Franceze e Futbollit si dhe nga mediat franceze të cilat shkruan mbi këtë gabim të ndodhur gjatë ndeshjes. Ai ka përgëzuar kombëtaren franceze për fitoren e ndeshjes së mbrëmjes së djeshme duke shprehur gjithashtu se uron të shohë të dy ekipet të shfaqen denjësisht në ndeshjen e kthimit e cila do të hapë edhe dyert e Arenës Kombëtare, duke konfirmuar se stadiumi 'Arena Kombëtare do të jetë gati brenda datës 17 Nëntor 2019, kur do të zhvillohet pikërisht kjo ndeshje kthimi.