TIRANË- Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, avokates së popullit Erinda Ballanca dhe anëtarit të vetëm të 'Kushtetueses', Ardian Dvorani, ku bën fajtor kryesor Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për ngërçin e krijuar lidhur me anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetutese. Në argumentin e tij, Meta shkruan se KED-i ka dërguar presidencës listën për të plotësuar brenda një afati 30 ditor vendet vakante për dy anëtarë, që sipas tij është e pamundur dhe e vë institucionin më të lartë në vend në vështirësi ligjore. Meta e sheh këtë si një tentativë të qëllimshme nga ana e KED-së për të cënuar institucionin e drejtuar prej tij.
Një tjetër argument që Meta jep është se të njëjtët aplikantë në listën e dërguar nga Këshilli i Emërimeve presidentit, i është dërguar edhe Kuvendit, çka sipas tij, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese
"Fakti që të njëjtët aplikantë gjenden edhe në listën e Kuvendit, komplikon kompetencën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/sjellë teorikisht, deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për zgjedhur anëtarët që i takojnë", thuhet mes të tjerave në letrën e Metës dërguar Ruçit.
Në pëfundim, Meta thekson se nuk është kompetencë e tij për të emëruar anëtarin e dytë të Kushtetueses, por sipas Kushtetutës ai duhet të zgjidhet nga Kuvendi.
“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.Në këtë mënyrë Presidenti i Republikës, ka përmbushur pa asnjë vonesë detyrimin kushtetues, për zgjedhjen e ANËTARIT TË PARË, zotit Besnik Muçi, i cili aktualisht ka filluar ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë Presidenti, sipas parashikimeve kushtetuese dhe gjendjes së vakancave për plotësim, është në pritje të vendimmarrjes së Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjen minimalisht të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese", përfundon kreu i shtetit.