TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar kallëzimin penal që Presidenti Ilir Meta bëri kundër kreut të KED-së Ardian Dvorani. Interesimit të gazetarit të Report Tv Arsen Rusta prokuroria e Krimeve të Rënda iu përgjigj duke deklaruar se kallëzimi i bërë nga kreu i shtetit në datë 19 nëntor është regjistruar në datë 20 nëntor dhe sipas shortit të hedhur po atë ditë është caktuar të hetohet nga prokurori Klodjan Braho.
Presidenti e dërgoi kallëzimin në tre prokurori, të përgjithshmen, Krimet e Rënda dhe te e Tiranës. Ndërkohë që Krimet e Rënda u vendosën në lëvizje duke caktuar me short prokurorin Klodjan Braho, që njihet si prokurori i dosjeve të 'nxehta' dhe që pritet të jetë pjesë e SPAK-ut. Me nisjen e verifikimeve pritet që të shikohet nëse ka elementë të veprës penale dhe nëse është kompetencë e kësaj prokurorie hetimi me fokus shpërdorimin e detyrës, sipas kreut të shtetit.