Ngrihet komisioni i posaçëm për monitorimin e dhënies së dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politik

1 Korrik 2020, 21:13

Ngrihet komisioni i posaçëm që do të mbikëqyrë procesin e shpërndarjes së fondeve për ish të përndjekurit politik. Vendimi është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë dhe i Ligjeve me shumicë të plotë votash. Ky komision i posaçëm do të ketë 5 anëtar 3 nga mazhoranca dhe 2 nga opozita. Nga mazhoranca janë Adnor Shameti, Senida Mesi dhe Elena Xhina, ndërsa nga opozita Korab Lita dhe Artur Roshi. Kjo strukturë do të ketë përgjegjësinë e monitorimit të shpërndarjes së dëmshpërblimit për këta përfitues, në mënyrë që të shmangen vonèsat apo shkeljet e mundshme.

Të gjithë deputetët kanë votuar pro ngritjes së Komisionit, ndërsa sa i takon kryesimit të tij ka pasur kundërshtime nga opozita.

"Kryetari do të jetë i mazhorancës, nënkryetari i opozitës dhe sekretari zgjidhet me mirëkuptim", tha Manja.

"Unë nuk jam dakort me kreun e komisionit pasi duhet ti përkasë opozitës sepse për vetë natyrën pasi kontrollet që do të kryhen mbi MFE për menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve për dëmshpërblimet e të ish përndjekurve, besoj se është edhe në nderin e mazhorancës ta bëjë opozita. Për këtë arsye komisioni duhet kryesuar nga ne pasi krijon edhe besueshmëri për qytetarët", u shpreh Artur Roshi.

"Besueshmëria nuk varet nga kryetarët e komisionit por nga kuvendi, i cili organizon dhe kontrllon ekzekutivin. Në rastin konkret faktet dhe shifrat janë aty tek MFE, dhe ky komision do ti shikojë dhe do ti monitorojë dhe do të na i paraqes edhe ne", tha Bashkim Fino.

Pas përfundimit të këtyre debateve është vendosur që kryetare të jetë Senida Mesi, nënkryetar Korab Lita dhe sekretare Elena Xhina.