Ngushtica e Hormuzit, Londra kërkon mision detar europian

23 Korrik 2019, 15:04

Lufta e ftohtë mes Iranit të largët dhe Mbretërisë së Bashkuar, po bëhet gjithnjë e më e hidhur pas rrëmbimit të anijes cisternë të naftës ‘Stena Impero’, në Gjirin Persik.

Ministri i jashtëm britanik ka hedhur idenë e një misioni evropian, ide paradoksale për një “avokat” të Brexit, për të mbrojtur anijet në Ngushticën e Hormuzit.

"Sipas ligjit ndërkombëtar - tha ministri i jashtëm Jeremy Hunt - Irani nuk ka të drejtë të pengojë kalimin e anijeve kështu që sekuestrimi i ‘Stena Impero’ është një akt piraterie shtetërore që çdo gjykatë nuk do hezitojë ta dënojë. Ne duam të krijojmë një mision të bashkuar detar të udhëhequr nga evropianët në mënyrë që anijet dhe ekuipazhet e tyre të kalojnë në mënyrë të sigurtë nëpër rajonin e Gjirit Persik. Nëse Irani vazhdon rrugën e tij të rrezikshme, duhet të pranojë edhe çmimin që do të jetë një prani më e madhe ushtarake perëndimore në ujërat përgjatë kanalit të Hormuzit”.

Nga ana e tij, Teherani, i cili më parë ka pranuar sekuestrimin e anijes cisternë të naftës ‘Stena Impero’, vazhdon të pohojë se sekuestrimi i anijes nuk është hakmarrje pas rrëmbimit të anijes iraniane të naftës Grace 1, jashtë Gjibraltarit, e cila do të mbetet bllokuar deri më 15 gusht.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka folur gjithashtu në lidhje me këtë temë. "Mbretëria e Bashkuar duhet të mbrojë anijet e saj. Sekuestrimi i anijes nuk ka të bëjë aspak me sanksionet amerikane kundër Iranit. I gjithë faji është i teokracisë dhe pushtetit në Iran”.

Sipas "Daily Telegraph", Ministri i Jashtёm i Britanisё sё Madhe Hunt mund tё shpallё masa diplomatike dhe ekonomike. Britania e Madhe mund tё insistojё, qё tё rivendosen sanksionet e OKB-sё dhe tё BE-sё kundёr Iranit, sanksionet që u shfuqizuan në vitin 2016 pas marrёveshjes atomike.