Nis botërori i peshëngritjes, Shqipëria përfaqësohet me katër sportistë. I pari garon Calja

19 Shtator 2019, 20:01

Prej të mërkurës me datë 18 shtator në Patia të Tajlandës ka nisur Botërori i peshëngritjes ku garohet në 10 kategori të ndryshme, 5 për meshkuj dhe 5 për femra. Në edicionin e 28 Shqipëria do të përfaqësohet me 4 peshëngritës të cilët janë Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Briken Calja dhe Krenar Shoraj.

Briken Calja, i cili është kampioni i Europës në stilin e shkëputjes, është peshëngritësi shqiptar që do të ngjitet i pari në pedanë. Cërrikasi do të garojë në kategorinë 73 kilogramë të shtunën duke filluar nga ora 15:25. Calja është gjithashtu edhe sportisti nga i cili shpresohet se mund të fitojë medalje, duke parë edhe përgatitjen e tij para Botërorit.

Ndërkohë të dielën do të jetë rradha e dy peshëngritësve të tjerë, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli. Të dy sportistët do të garojnë për kategorinë 81 kilogramë duke filluar nga ora 9:25 të mëngjesit. Ndërsa peshëngritësi Krenar Shoraj do të jetë i fundit që do të garojë në Tajlandë. 27-vjeçari do të ngjitet në pedanë të hënë në orën 9:25 të mëngjesit me orën shqiptare.

Në këtë Botëror Shqipria synon jo vetëm të bëjë paraqitje të mira por edhe të sigurojë sa më shumë pikë në dygarësh, në mënyrë që të dërgojë sa më shumë shtangistë në Lojrat Olimpike ‘Tokyo 2020’.