Nis dixhitalizimi i hartave kadastrale në Tiranë, drejtori: Jo më mbivendosje pronash

18 Shtator 2019, 20:23

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka nisur procesin e dixhitalizimit të hartave kadastrale. Aktualisht po punohet në 147 zona kadastrale të Qarkut të Tiranës, ku përveç dixhitalizimit të hartave po bëhet edhe përmirësimi i hartave aktuale. I gjithë ky proces synon eliminimin e problemeve me titujt dhe certifikatat e pronësisë. Në një intervistë për Report TV, Redi Curri Drejtor i regjistrit dhe hartografisë, shprehet se po ashtu po punohet për kalimin në format elektronik edhe i regjistrit të të gjithë pronave.

Dy komponentët kryesor janë regjistri, i cili është  në vijim duke u bërë i tëri dixhital. Dhe që ofron shërbim të shpejt dhe cilësor. Drejtoria e Përgjithshme nuk po merret vetëm me dixhitalizimin e këtyre 147 zonave kadastrale por edhe përmirësimin e atyre ekzistuese nga ana tekniko-ligjore” deklaroi Curri

Kalimi nga harta digjitale nga harta manuale, sipas Currit iu jep mundësinë pronarëve që të kryejnë investime të ndryshme në pronën e tyre po ashtu shmang edhe mbivendosjen e pronave.

Shmangin problematika që kanë qenë ndër vite, mbivendosjet fiktive, korrigjimi i kufijve të pasurisë. Me kalimin në harta dixhitale këto shmangen, dhe i jepet prioritet pronarit për të zhvilluar pronën, duke ndërtuar investuar, pasi më parë ishte thuajse e pamundur” sqaron Redi Curri.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e zonave kadastrale në Tiranë janë drejt përfundimit, Agjencia e Kadastrës nuk mund të përcaktojë një afat se kur mund të përfundoj i  gjithë procesi, i digjitalizimit të hartave, dhe regjistrimit të pronave kërkon kohë shumë të gjatë.