Nis edicioni i tretë i Festivalit të Resë, Veliaj: Një institucion që prodhon art

18 Maj 2019, 22:31 | Përditesimi i fundit: 2019-05-18 22:34:21

Për të tretin edicion radhazi, nisi dje Festivali i Resë, “Cloud Fest”, ku për 15 ditë me radhë, 214 artistë nga 18 shtete të botës, do t’i dhurojnë publikut kryeqytetas një performancë ndryshe në muzikë, balet etj, duke krijuar një atmosferë fantastike.

Në nisje të festivalit, përshëndeti edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Festivali i Resë ia ka dalë që të bëjë një ndërthurje të asaj që është Tirana sot. 

“Janë shumë ata që na kanë dhënë një dorë, rreth 18 organizata, agjenci, ambasada, grupe të ndryshme nga gjithë bota, ndaj jemi munduar që të bëjmë një gërshetë me performanca, e një fije nga ky gërshet janë thesaret si Agim Molla, si sazet, si ahengu i Tiranës, e shumë thesare prej trevave tona. Të dielën kemi performancën nga Japonia, më pas nga shumë shtete të tjera. Prandaj, jemi munduar të bëjmë një ndërthurje të asaj që është Tirana sot. 18 herë, në të 18 gjuhët tuaja, ju falenderoj që keni pranuar të jeni pjesë e këtij gërsheti dhe jam mirënjohës sepse “Reja” u kthye nga një tufë shufrash hekuri, në një institucion”, tha Veliaj.