Nis faza e dytë e 'Deputeti që duam’, Rama: Vetëm përmes politikës i ndryshojmë gjërat!

11 Janar 2021, 10:16 | Përditesimi i fundit: 2021-01-11 13:14:19

Në Partinë Socialiste ka nisur sot faza e dytë e procesit ‘’Deputeti që duam’’, proces nga i cili sipas socialistëve do të dalin një pjesë e rëndësishme e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Në aktivitetin e zhvilluar sot me aplikantët që kanë kaluar në fazën e dytë, ishin të pranishëm kryetari i PS-së, Kryeministri Edi Rama, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.

Aktivitetin e hapi z. Balla i cili në fjalën e tij deklaroi se nga qindra aplikime Komisioni ka zgjedhur më të mirët dhe tashmë është radha për hapin e fundit.

”Sot realisht ndihem shumë krenar që e kemi çuar para këtë proces që ndodh për herë të parë në 30 vite. Zanafillën e ka tek Reforma Zgjedhore, që shënoi moment historik me hapjen e listave. Kjo ishte arsyeja pse u mor kjo iniciativë. Si partia më e madhe në vend, ne duam një bazë të mirë të kandidatëve, përfaqësues të komuniteteve që përfaqësojnë zonat e tyre denjësisht. Jam i entuziazmuar për interesin e lartë, të shprehur në platformën ‘”Deputeti që duam’’. Komisioni duhet të zgjidhte më të mirët në qindra aplikime. Shqipëria s’ka më asnjë lidhje tashmë me çfarë ishte 7 vite më parë. Ky rrugëtim nuk ishte aspak i lehtë. Tani me bindjen për të zgjedhur njerëzit e duhur që do sjellin ndryshime të vërteta", tha Balla.