Nis 'Java Globale e Parasë', Sejko: Të nxisim edukimin financiar të fëmijëve

23 Mars 2021, 19:25

Ka nisur sot java e parasë për vitin 2021, me fokus ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen. “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua!”, ishte tema e përzgjedhur edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me synimin të edukoj të rinjtë të përdorin produktet digjitale, pagesat apo aplikime online .

Guvernatori Gent Sejko nënvizoi rëndësinë kyçe që kanë njohuritë mbi një treg financiar gjithnjë e më të digjitalizuar dhe inovator.

“Sa i përket nxënësve dhe të rinjve, krahas aspektit shëndetësor, pandemia i ka përballur ata edhe me sfida në fushat e edukimit dhe punësimit. Për këto arsye, tashmë është më e rëndësishme se kurrë t’i pajisim ata me dijen e duhur mbi menaxhimin e financave personale dhe shfrytëzimin e saktë të produkteve bankare”, u shpreh Sejko.

Guvernatori u shpreh se është shumë e rëndësishme që edukimi financiar i fëmijëve të nis që në moshë të vogël.

“Ky pohim përbën dhe filozofinë e programeve të institucionit tonë, i cili synon ndërtimin e urave të komunikimit, ndërgjegjësimin dhe rritjen e njohurive financiare  tek brezi i ri. Ata duhet të përftojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimin dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të shëndosha financiare, me qëllim që në të ardhmen e tyre si individë të maturuar të arrijnë mirëqenie financiare si dhe të jenë të aftë të përballojnë situatat e emergjencës, siç është kjo që po kalojmë aktualisht”, pohoi Sejko.