Nis mësimi te 'Politekniku', orët e humbura do zëvendësohen në fundjavë

16 Dhjetor 2019, 18:11

TIRANË- Në Universitetin Politeknik të Tiranës nisi mëngjesin e sotëm procesi mësimor, pas pezullimit që në datën 26 nëntor, prej lëkundjeve të fuqishme të tërmetit.

Godinat  ku zhvillojnë mësim disa fakultete, mes tyre ai  arkitekturës e urbanistikës, janë vlerësuar si të sigurta për të zhvilluar mësim studentët. Pritet që me rinisjen e procesit mësimor të bëhet dhe zëvendësimi i orëve të humbura.

“Sot ka filluar procesi mësimor normalisht që do të zgjasë deri ditën e shtunë që do të zhvillohet mësim, pastaj besoj do marrim pjesën e pushimeve. Në fillim u dha një datë e mëparshme për rifillimn e mësimit, më pas u shty për shkak të dëmtimeve që ka fakulteti i Inxhinierisë, godina A, godina e vjetër, ndërsa për fakultetin e Arkitekturës ka rifilluar mësimi. Ka një orar me dy turne, paradite dhe pasdite për zëvendësimit e orëve të humbura. Për këtë fundjavë kemi njoftim vetëm për ditën e shtunë por që besoj që pas festave të fundvitit do fillojë që të kemi zëvendësim ditëve të shtuna dhe të diela”- u shpreh një prej studenteve

Nga ana tjetër, godina e Inxhinierisë së Ndërtimit, ka pësuar dëme të cilat e bëjnë të pasigurt zhvillimin e mësimit, ndaj është marrë vendimi që procesi mësimor të rinisë me datë 6 janar. Kjo godinë e ndërtuar në vitet '80, pësoi dëme edhe nga tërmeti i 21 shtatorit, dëme të cilat u riparuan, por më goditjet e tërmetit të 26 nëntori, u mor vendimi për pezullimin e mësimit.