Nis ndërtimi i rrugës së re te Komuna e Parisit, Veliaj: Investime në çdo lagje

9 Gusht 2018, 15:53

Pas rehabilitimit të hyrjes dhe ndërtimit të rrethrrotullimit në Rr. “Medar Shtylla”, çka lehtësoi trafikun në gjithë Komunën e Parisit, Bashkia e Tiranës ka nisur një rruge të re që i jep më shumë frymëmarrje një prej zonave më të mëdha të qytetit. Rruga e re do të lidhë rrethrrotullimin e ri me Rr. “Robert Zhvarc” dhe mundëson kalimin më lehtë të automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve në drejtim të zonës së njohur si ish stacioni i fundit i “Tiranës së Re”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në këtë segment të ri, ndërsa theksoi se Komuna e Parisit po pajiset me të gjithë infrastrukturën e duhur urbane për të qenë një lagje model.

Filluam me Unazën e Re, pra një aks nga Shkolla Teknologjike, Fabrika e Miellit dhe deri në Farkë, që sistemon të gjithë ata që janë tranzit nëpër këtë zonë. Më parë i gjithë ai trafik shkonte mes përmes Komunës së Parisit. Vazhduam pastaj me hapin e dytë, sistemimet nëpër lagje. Siç e dini, rrethrrotullimi i madh i Komunës së Parisit dhe rrugët me sens unik e kanë bërë një mini-unazë të gjithë këtë lagje, duke qetësuar trafikun midis autostradës dhe stadiumit “Dinamo”. Ndërkohë, tani po hyjmë në nivel kapilar, në çdo lagje.