Nis prodhimi i Kartës së Studentit, Veliaj: Brenda majit nis shpërndarja, shërbime edhe nga privatët

26 Prill 2019, 14:30

Një javë pas prezantimit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës kanë nisur prodhimin e Kartës së Studentit, e cila do të shpërndahet gjatë muajit maj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilluan sot një dëgjesë me studentë që ndjekin studimet e larta në Tiranë, ku njoftuan disa nga mundësitë dhe lehtësirat që do të ofrojë Karta e Studentit, për më shumë se 40 shërbime, muzeume apo biblioteka.

Veliaj vlerësoi punën e bërë me plotësimin e pikave të Paktit për Universitetin dhe tha se Karta e Studentit ka nisur të prodhohet si document, ndaj brenda këtij sezoni universitar do të shpërndahet për gjithë studentët që mësojnë në universitetet e Tiranës.

“Karta është dizenjuar dhe tashmë ka nisur prodhimi. Ne do të jemi në gjendje që javën e tretë të majit të fillojmë ta shpërndajmë, dhe të fillojmë ndoshta nga universitetet e vogla të Tiranës, me më pak studentë, që të testojmë çështjen e përdorimit, derisa pastaj ta masivizojmë në fund të këtij semestri, ose në mes të korrikut, në varësi kur është shtyrë kalendari i mësimdhënies, për t’u siguruar që të gjithë studentët të kenë kartën e tyre”, tha Veliaj. 

Duke u ndalur te lehtësirat dhe mundësitë që krijon karta për studentët, ai theksoi se ata do përfitojnë jo vetëm nga shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore, por edhe ato private. Ai bëri të ditur se shumë kompani private janë shprehur të gatshme që të bëhen pjesë e lehtësirave dhe ofrimit të shërbimeve me kosto të ulët për studentët.