Nis prodhimi në masë i vaksinës anti Covid, shpërndarja në muajin tetor

16 Qershor 2020, 12:50

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë farmaceutike “AstraZeneca”, Pascal Soriot ka deklaruar se ka filluar prodhimi industrial i vaksinës anti Covid paralelisht  me fazën e provave klinike, edhe pse ekziston rreziku financiar, por kjo, sipas tij, është mënyra e vetme për të qenë gati për të nisur me shpërndarjen e saj në muajin tetor.

Ai tha gjithashtu se do të jenë gati miliona doza të gatshme brenda këtij viti, nga të cilat 300 milionë do të dërgohen në Shtetet e Bashkuara, 100 milionë në Mbretërinë e Bashkuar dhe miliona të tjerë në Europë dhe pjesën tjetër të botës, teksa kompania kohët e fundit ka dyfishuar kapacitetet prodhuese në 2 miliardë doza.

Duke folur për BBC-në, Soriot tha se ‘AstraZeneca’ nuk kërkon të fitojë nga prodhimi i vaksinës gjatë pandemisë dhe se kompania ka pranuar të furnizojë me gjysmën e dozave, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Para tre ditësh, Ministrat e Shëndetësisë së Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Holandës nënshkruan një kontratë me ‘Astra Zeneca’ për furnizimin e deri në 400 milion doza vaksine "të destinuara për tërë popullatën evropiane" deri në fund të vitit, dhe një tjetër marrëveshje prej  750 dhe 595 milionë $ me dy organizata shëndetësore të mbështetur nga Bill dhe Melinda Gates, përkundër egos së disa vendeve të cilat po përpiqen të kenë vaksinën ekskluzivisht për vete.