Nis puna për rikonstruksionin e godinave 27 dhe 28 në QS, Veliaj: Së shpejti nis lirimi i hapësirave të zëna

31 Janar 2019, 19:03

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi dje punimet në të dyja godinat, ndërsa theksoi se edhe në këto konvikte puna ka nisur fillimisht me mjediset e përbashkëta, si salla leximi, nyjet sanitare apo dushet, ndërsa gjatë verës, kur studentët të marrin pushimet, do të bëhet ndërhyrja edhe nëpër dhoma.

Jemi duke vazhduar, sipas premtimit për “Paktin e Universitetit”, me të gjitha ndërhyrjet në konvikte. Siç premtuam, se brenda janarit do të kishte filluar puna me themel, kur vjen puna tek hapësirat e përbashkëta, dushet, hapësirat e banjave, pajisjet higjieno-sanitaret, të gjitha sallat e leximit, korridoret dhe fasadat. Në disa ndërtesa si këto, nuk është vënë dorë që në vitin ’89, kur janë bërë për herë të parë, madje edhe atëherë janë bërë me punë vullnetare. Fakti që sot i kemi hyrë me themel mjediseve të përbashkëta dhe presim lirimin e dhomave në korrik, për t’i hyrë me themel edhe dhomave, besoj është një lajm i shkëlqyer dhe një nga arritjet e Paktit me Universitetin”, tha Veliaj, i cili zhvilloi edhe një takim me studentët. Ai shprehu mirënjohjen për të gjitha bizneset dhe donatorët që i janë bashkuar thirrjes së Kryeministrit dhe Bashkisë së Tiranës për të adoptuar konviktet dhe për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të tyre. “Jam i bindur se deri në fund të shkurtit do të kemi përfunduar punimet që kanë nisur dhe godinat e tjera që s’janë prekur ende, e mandej presim disa investime madhore me KFË-në apo nga donatorë të huaj si TIKA e agjenci të tjera që do të na bashkohen”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se grupi i punës për Kampusin e ri Universitar ka nisur konsultimet me universitet dhe ekspertët, për të parë nevojat dhe mundësitë e realizimit të këtij projekti madhor. “Sot jemi në fazat e konsultimeve në nivel ekspertësh, nga secili fakultet apo universitet, për nevojat e tyre. Kemi marrë edhe një listë nevojash, si për mensa, për biblioteka dhe terrenet sportive. Kemi filluar në një pjesë të godinave furnizimin me internet, duke qenë se sot është bërë po aq i rëndësishëm sa energjia dhe uji”, u shpreh Veliaj, ndërsa nënvizoi se po përgatitet një VKM për të ulur tarifat e energjisë për ndërmarrjet studentore, në mënyrë që të rritet performanca financiare e tyre.

Ai kërkoi mirëkuptimin dhe solidaritetin e qytetarëve të Tiranës për këto investime dhe theksoi se shumë shpejt do të nisë puna edhe për lirimin e hapësirave të zëna, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Kampusit Universitar.

“Kemi filluar fazën e njoftimeve për ata që duhet të lirojnë territoret. Për ata që kanë bërë letrat pas zaptimit, do të duhet të operojmë me shpronësimet. Askujt nuk i pëlqen të shpenzojë para të taksapaguesve për shpronësimin e atyre që kanë zaptuar, por ligjet janë këto që janë dhe ne do të bëjmë më të mirën që kostot të jenë minimale, dhe fitimi të jetë maksimal për lirimin e këtyre hapësirave”, theksoi Veliaj.

Gjatë këtij inspektimi kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentët që jetojnë në këto konvikte, ku i informoi ata me planin e ndërhyrjeve në Qytet Studenti dhe projektin e Kampusit të ri Universitar.