Nis rindërtimi i pallateve me dëmtime të rënda në Durrës, Rama: Do u rritet vlera pronave!

15 Shkurt 2021, 18:46

Pas zonës së Sukthit, kryeministri Rama ka inspektuar dhe punimet për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës.

Ai thotë se ka nisur me 4 projektet e para të rindërtimit të pallateve me dëmtime të rënda DS4. Sipas kryeministrit, me këtë investim do të rritet shumëfish vlera e pronave të tyre.

“Ajo që dua të them unë është se të gjithë ata që e kanë pasur pallatin me dëmtime DS4 kishin shqetësime dhe u kthye në padurim. Tashmë ka filluar puna. DS4 kërkojnë më shumë kohë pasi bëhet fjalë për një projekt të detajuar pasi dëmet janë të rënda dhe çka mbetet është struktura. Puna ka filluar dhe ndërkohë që ata që e kanë këtë problem janë në shtëpi me qira. Projektet e zbatimit kanë filluar zinxhir në mënyrë që menjëherë me mbarimin e projektit të realizohet puna e bërë. Zgjidhim një merak që kanë qytetarët. Gjithë kësaj zone do i rritet vlera me investimin. Tek Ura e Dajlanit. Do jetë një fuqi e madhe tërheqje për turizmin dhe një motor ekonomik që do rrisë vlerat” – tha Rama.