Balilit i pranohet “gjykimi i shkurtuar”, më 12 mars pretenca

25 Shkurt 2019, 10:41 | Përditesimi i fundit: 2019-02-25 14:43:20

Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë të hënë kërkesën e Klement Balilit, për gjykim të shkurtuar. Në rast dënimi nga sot ai përfiton ulje me 1/3 e dënimit.

Seanca e radhës do të jetë më 2 mars, ku prokuroria do të japë pretencën.

I konsideruar nga mediat greke si "Eskobari i Ballkanit", Balili, dikur ish-zyrtar i transportit në qytetin e Sarandës, akuzohet  për veprat penale "trafik të narkotikëve", "grup i strukturuar kriminal", mosdeklarim të  pasurisë" dhe "pastrim parash".

Avokat i Balilit është ish-kryepokurori Theodhori Sollaku.Trupa gjyqësore në seancën e sotme përbëhej nga Flora Hajredinaj, Liliana Baku dhe Ardit Mustafai.

Lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj Balilit prokurori Eneid Nakuci renditi dhe një sërë provash ku sipas tij janë 20 CD me përgjime, hetimet e autoriteteve greke dhe DEA-s amerikane, sekuestro në flagrancë e 678 kg canabis në Greqi dhe arrestimi i dy shqiptarëve të cilët drejtoheshin nga Balili. Por këto prova sipas mbrojtjes janë të pabazuara dhe nuk e lidhin Klement Balilin në asnjë çast me trafikun e narkotikëve.

Klement Balili, një nga njerëzit më të kërkuar në vend për trafik ndërkombëtar droge  u vetëdorëzua në polici më 15 janar pasi 2 vitesh arrati. Ai u shpall në kërkim nga DEA amerikane dhe autoritetet greke pasi u akuzua si “Eskobari i Ballkanit” në trafikun e drogës.