Nis vaksinim i 60 mijë punonjësve të fasonerive, Rama: E rëndësishme është të kemi mirë gratë, burrat pastaj të shohin e të bëjnë

23 Prill 2021, 11:48 | Përditesimi i fundit: 2021-04-23 14:52:11

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër fillimin e procesit të vaksinimit ndaj COVID19 për punonjësit e fasonerive.

“Fillojmë sot vaksinimin nëpër fasoneri. Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste, të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale përpunuese. Janë rreth 60 mijë punonjës, por ne kemi vendosur kiteret e para për vaksinimin, që është kriteri i moshës dhe sëmundshëmrisë. Sot kemi filluar në fasoneri, por me listat në vijim, do të fillojmë edhe në qendrat tona të vaksinimit të përqëndruar, për të mos ndërprerë procesin e punës por ndërkohë për të siguruar mbrojtje për të gjithë punonjësit”, deklaroi Manastirliu. 

Kryeministri Rama ka nënvizuar se me procesin e vaksinimit antiCOVID në fasoneri, të gjitha gratë do të sigurojnë mbrojtje për shëndetin e tyre.

'Ne do i ndihmojmë këta dhe këta do t'u rrisin rrogën juve. Minimalen do ta çojmë 400. Vaksinat tani do t'u ndihmojnë, shumë e rëndësishme është të kemi mirë gratë, burrat pastaj shohim e bëjmë.'- tha Rama.

Në total deri tani janë kryer 383.008 doza vaksine antiCOVID-19, prej të cilave mbi 296 mijë doza për personat mbi 60 vjeç, ndërkohë që ka përfunduar vaksinimi me disa prej kategorive të punonjësve të shërbimeve kritike, si bluzat e bardha, arsimtarët, uniformat blu, punonjësit e medias. Vijon vaksinimi për qytetarët +60 vjeç, punonjësit e shërbimeve hoteliere dhe kategoria e re janë punonjësit e fabrikave me material porositësi, ku janë rreth mbi 60.000  të punësuar. Në vaksinimin e kësaj kategorie prioritizohen më të moshuarit dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese.