Nis vaksinimi i bluzave të bardha në Kukës, Bino: Situata e COVID është shumë shqetësuese, nga e hëna do të merren masa sipas evoluimit të pandemisë

26 Shkurt 2021, 16:23

#reportTV #lajmeshqip #lajme KUKËS- Ka nisur vaksinimi i stafeve mjekësore në Kukës, ku kanë mbërritur 260 dozat e para. Nga qyteti verilindor, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino paralajmëroi ashpërsim të masave nëse trendi i infektimeve vijon të rritet. Bino deklaroi se situata në vend është shqetësuese dhe paralajmëroi ashpërsim të masave. Bino tha se ngushtimi i fashës orare dha një efekt të vogël në uljen e shifrave të personave të prekur nga COVID, dhe shtoi se të hënën e ardhshme do të rishikohet si po ecën situate dhe do të merren masa përkatëse për sipas llojit të evoulimit të pandemisë. Në pallatin e sportit në Vlorë prej një jave vaksinohen stafet mjekësore të gjithë rajonit të jugut. Këtë të premte u paraqiten mjekët dhe infermieret e Tepelenës, Përmetit dhe Sarandës. Pamjet tregojnë qartë radhët e gjata, ndërsa bluzat e bardha nuk respektojnë distancimin social. Dje ka nisur procesi i vaksinimit anti-COVID në qytetin e Beratit, për mjekët dhe infermierët e më pas për moshat mbi 80-vjeç. Ndërkohë në Shkodër është përmbyllur procesi i vaksinimit për bluzat bardha ku në total janë kryer 2500 vaksinime, ndërsa ka nisur vaksinimi i të moshuarve mbi 80 vjeç. Deri tani në Shqipëri janë kryer 10.135 vaksina në disa qytete të vendit, shumica te bluzat e bardha, të moshuarit nëpër shtëpitë e të moshuarve bashkë me kujdestarët e tyre, disa personalitete dhe dhjetra të tjerë mbi moshën 80 vjeç. Në total që prej janarit në Shqipëri kanë mbërritur 17 mijë doza të vaksinës Pfizer. Ndërkohë pak ditë më parë në vendin tonë mbërritën dhe 8190 të tjera të vaksinës Pfizer.