Nis vaksinimi i personaliteteve mbi 80 vjeç, mes tyre Margarita Xhepa, Tinka Kurti e Alfred Moisiu!

21 Shkurt 2021, 13:28

Këtë të diel siç është paralajmëruar, në kryeqytet ka nisur vaksinimi kundër COVID-19, i 24 personaliteteve në të 80-tat e tyre, i cili do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Në stadium u vaksinuan Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Aleksandër Meksi, Alfred Moisiu, Dhimitër Xhuvani, Pirro Milkani, Fedhon Meksi, Besim Elezi, etj si dhe të moshuar të fashës 90 vjeçare, që u organizuan nga mjekët e familjes. Bashkë me to vaksinimi po bëhet edhe për të moshuarit, ku vetëm sot janë planifikuar të bëhen 80 vaksinime kundër COVID.

Pas vaksinimit ka folur edhe regjisori Pirro Milkani i cili ishte mjaft i lumtur dhe shprehu kënaqësinë e tij për marrjen e vaksinës duke thënë se ky është i vetmi shpëtim për këtë pandemi.

Në inspektimin e këtij procesi ishte edhe kryeministri Edi Rama , i  cili nuk nguroi t'u përgjigjej sërish sulmeve të atyre që ai i cilësoi si pseudo -personalitete që kanë akses në mediat dhe portale duke thënë fjalë të neveritshme ndaj vaksinimit të personaliteteve.

Rama tha se vaksinimi nuk ka diferencime pasi edhe personalitetet që po vaksinohen janë mbi 80 vjeç dhe se e meritojnë për kontributin dhe vlerave që i kanë dhënë shoqërisë.

Sot ka vijuar vaksinimi edhe me stafet mjekësore në qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin.