Nis vaksinimi masiv ndaj COVID-19 me 'Sinovac' në gjithë vendin! Nelaj: E lehtë në përdorim! Balla: Të moshuarve në zonat e thella do u sigurojmë transportin

28 Mars 2021, 15:30

#reportTV #lajmeshqip #lajme Ditën e sotme ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë, ku në Sheshin "Skënderbej" janë ngritur dhe bërë gati dy çadra të mëdha ku secili ka nga 10 pika ku do tw kryhet vaksina kineze 'Sinovac'. Vaksinimi në sheshin "Skënderbej" nisi paralel me atë që vijon që prej javësh në stadiumin "Air Albania" dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.Vaksimi masiv ka nisur edhe në Lushnje, Fier, Korçë, Gjirokastër, Librazhd etj. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është arritja e 10-15 mijë vaksinimeve në ditë, ndërsa vaksinimi te sheshi "Skënderbej" nisi për moshat mbi 70 dhe 75 vjeç me vaksinës kineze 'Sinovac' dhe se qytetarët do të lajmërohen nga mjeku i familjes. Në ndihmë të bluzave të bardha do të bashkohen edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa nisja e vaksinimit masiv pritet që të plotësojë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj. Kryeministri Edi Rama ishte prezent në inspektimin e procesit të vaksinimit masiv në sheshin "Skënderbej" ku tha se ky proces do të lehtësoj sezonin turistik gjatë verës, ndërsa nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi nga turistët e huaj. Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla ka ndjekur procesin e vaksinimit masiv në Librazhd. Ai tha se për të moshuarit në zonat e thella do të mundësojmë transportin. Ndërkohë që vetë të moshuarit, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të bërë vaksinën ditën e sotme, u shprehën se nuk kanë frikë dhe se e shohin si shpresë për një jetë të shëndetshme dhe stresi i një viti të marrë fund. Sot në të dy çadrat e ngritura ne sheshin 'Skëndebej' pitet të bëhen nga 800-1000 vaksinime. Në fillim bëhet regjistrimi, më pas kalohet në dhomat e vaksinimit dhe me pas në ato të pasvaksinimit ku qëndrohet për 25-30 minuta. Janë të pranishëm ekipet e Urgjencës Kombëtare për çdo rast që mund të ndodhë. Janë të pranishëm efektivë policie për mbarëvajtjen e radhës së qytetarëve, të mos bëhen shumë grumbullime. Në çadrat janë krijuar edhe ambientet për ruajtje frigoriferike të vaksinave. Për +80 vjeç dhe +85 vjeç vaksinimi do të vijojë të bëhet në qendrat shëndetesore, ndaj të cilëve po aplikohet vaksina ruse Sputnik V.