Nis vaksinimi masiv ndaj COVID-19 me 'Sinovac', ngrihen 2 çadra në sheshin 'Skënderbej'!

28 Mars 2021, 12:02

Ditën e sotme ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë, ku në Sheshin "Skënderbej" janë ngritur dhe bërë gati dy çadra të mëdha ku secili ka nga 10 pika vaksinimi që do të shërbejnë për vaksinimin masiv të popullsisë. Vaksinimi në sheshin "Skënderbej" do të nis paralel me atë që vijon që prej javësh në stadiumin "Air Albania" dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është arritja e 10-15 mijë vaksinimeve në ditë, ndërsa vaksinimi te sheshi "Skënderbej" do të nis për moshat mbi 70 dhe 75 vjeç me vaksinës kineze 'Soniovac' dhe se qytetarët do të lajmërohen nga mjeku i familjes. Në ndihmë të bluzave të bardha do të bashkohen edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa nisja e vaksinimit masiv pritet që të plotësojë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.

Kryeministri Edi Rama ishte prezent në inspektimin e procesit të vaksinimit masiv në sheshin "Skënderbej" ku tha se ky proces do të lehtësoj sezonin turistik gjatë verës, ndërsa nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi nga turistët e huaj.

Ndërkohë që vetë të moshuarit, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të bërë vaksinën ditën e sotme, u shprehën se nuk kanë frikë dhe se e shohin si shpresë për një jetë të shëndetshme dhe stresi i një viti të marrë fund.