Nisja e shkollës për fëmijët, Rama: Vendim i vështirë, hajde shpjegoja Zahos pse duhet t'i rrish larg shokut

3 Shtator 2020, 12:40

kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën "24 maji" në Vlorë ku pritet të nisë mësimi me datën 14 shtator.

Teksa ka folur për durimin që duhet të kenë mësuesit me fëmijët për t'i shpjeguar situatën, Rama mori shembullin e djalit të tij të vogël, Zahos, për të cilin tha se si të gjithë fëmijët e tjerë është e vështirë t'i shpjegosh se pse duhet të rrijë larg shokëve.

"Hajde shpjegoja Zahos pse nuk duhet të takohesh me shokun, pse duhet t'i rrish shokut larg. Pse duhet të mbash maskën, pse duhet të lash duart vazhdimisht etj. Hajde shpjegoja. Ndërkohë që i gjithë shpjegimi jonë është foli shokut, rri afër shokut, jepi dorën shokut. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme për të punuar bashkë me prindërit që dhe prindërit të jenë pjesë e kësaj. Pra duhet futur e gjithë bota e fëmijëve në një kornizë, por pa i ndrydhur dhe pa i krijuar deformacione në mënyrën e perceptimit sepse është e nevojshme t'i thuhet që kjo është e përkohshme. Që ne do t'a kalojmë këtë gjë po hajde shpjegoja përkohshmërinë etj etj. Është një sfidë shumë e madhe, ju e keni këtë barrë.

Nga ana tjetër duhet punuar me mësuesit që të jenë të vetëdijshëm. Mësuesit nuk kanë faj që të jenë të stresuar, edhe pa Covid ndonjëherë shpërthejnë. Është një punë kolosale që ju duhet ta bëni", tha Rama.