TIRANE-Sot do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar nismën e PD për vettingun në politikë. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka publikuar një video në Facebook, ndërsa e shoqëron me statusin ‘Politikanët e lidhur me krimin duhet të largohen!’. Lideri i PD, akuzon kryeministrin se gënjen, ndërsa shton se vettingu në politikë duhet të bëhet pa vonesë.
Dy vjet më parë Edi Rama mohoi mbjelljen e të gjithë vendit me kanabis. Edi Rama gënjeu. Tre vjet më parë Edi Rama mohoi se kishte futur kriminelë në kuvend. Edi Rama gënjeu. Sot Edi Rama kundërshton vettingun në politikë dhe mohon lidhjet me krimin. Edi Rama përsëri gënjen. Politikanët e lidhur me krimin duhet të largohen. Veting në politikë pa vonesë
Lulzim Basha
Në datë 7 shtator, PD depozitoi projektligjin në Kuvend, që synon ndryshimin e Kushtetutës, por shumica e ka kundërshtuar. Kryedemokrati në asnjërën nga pikat nuk përmend vettingun për familjarët e politikanëve. Shumica kërkon që nëse do të bëhet një ligj i tillë duhet që patjetër të përfshijë familjarët, por kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se fillimisht nisma e PD do të dërgohet në Komisionin e Venecias. Ndërkohë që Lulzim Basha e ka kundërshtuar një lëvizje të tillë.