Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se procesit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra shumica do i shkojë deri në fund. Gjatë një takimi me banorët e Njësisë Administrative Nr.2, ku ishte e pranishme edhe anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, kryeministri e pyeti se si po ecën procesi për shkarkimin e kreut të shtetit, pasi anuloi datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, që më pas u ligjërua nga Kolegji Zgjedhor. "Nesër kemi raportin dhe e vendos seanca datën" tha deputetja e PS-së. Ndërsa më pas Rama shtoi me vendosmëri se 'Duhet çuar deri në fund ai proces, kjo është një hata Kushtetuese dhe institucionale" tha ai.
E ndërsa nuk komentoi sërish vendimin e Kolegjit, Rama e vendosi theksin te procesi zgjedhor të jetë sa më korrekt. "Gjëja e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt. Pluralizmi është të gjithë në një mendje, që secili mund të zgjidhet nëse dëshiron. Nëse nuk do të marrësh pjesë në zgjedhje nuk mund të marrësh peng të gjithë dynjanë.
Nuk ka shans të ndodhë që të merret peng procesi. Ne shikojmë një rënie të kuponëve, ka lidhje, pasi është atmosfera e paligjshmërisë dhe klima e krijuar që bjeri murit me kokë dhe shkel ligjin. Kush ka bojkotuar zgjedhjet e ka pësuar më pas. Ky lloj bojkoti është harakiri, vetëvrasje" tha ai.