'Nisma Thurje', Rudina Hajdari përgënjeshtron Shabanin: Ende asnjë vendim se ku do kandidoj

1 Dhjetor 2020, 13:15 | Përditesimi: 1 Dhjetor 2020, 13:15

Teksa ditën e djeshme, në një intervistë për Report Tv, drejtuesi i partisë "Nisma Thurje" Endri Shabani zbuloi se Rudina Hajdari do të drejtojë fushatën në Shkodër dhe do të jetë kandidate atje në zgjedhjet e 25 prillit, ka ardhur edhe një përgenjështrim nga deputetja.

Hajdari, gjithashtu ka folur për Report Tv, duke përgenjështruar Shabanin pasi sipas saj ende nuk ka një vendim për kandidimin e saj.

"Një ndër gjërat që unë bëj është mënyra se si angazhoj strukturat e kësaj lëvizje të re politike. Unë krahas angazhimeve në Tiranë po merrem edhe me zona të tjerë sicc është Shkodra, por po merrem edhe në qytete të tjera. Në momentin që do vendosen kandidaturat do ta kemi edhe zyrtare.

 Është ende herët për ta zyrtarizuar. Ne jemi ende duke bërë aktin e themelimit, statusin e partisë dhe regjistrimin.  Ndaj në momentin kur t'i kemi depozituar këto atëherë do të bëjmë edhe ndarjen e zonave. Por është e vërtetë që unë po angazhohem edhe në qytetet e veriut, siç është Shkodra", tha Hajdari.

b.ha./Shqiptarja.com