Një dashuri frymëzuese mes artistëve, Bojken Lako flet për dasmën e 'çuditshme' me Semin

26 Prill 2019, 12:28

Bojken Lako, kantautori dhe këngëtari i talentuar me një karrierë 25 vjeçare në muzikë, ka qenë i ftuar ditën e sotme në programin 'Rreze dielli', ku ka folur për jetën e tij artistike dhe atë private, si dhe për projektit të tij të fundit muzikor, këngës 'Dance on the Weekend'.

Edhe pse i diplomuar për regji teatri në '97, kontributin e tij në art, Bojken ia ka dedikuar gjithmonë fushës së muzikës.

Në repertorin e tij muzikor ai numëron disa albume dhe me dhjetëra këngë të cilat kanë lënë gjurmë tek publiku.

Por veç krijimtarisë së tij të pasur, Bojken ka qenë dhe një nga nismëtarët  e një prej festivaleve të rëndësishëm shqiptarë, 'Top Fest'. I pyetur për përfshirjen e tij në krijimin dh realizimin e këtij projekti, i cili nuk vazhdon më, Bojken është shprehur:

"Ideatori nuk jam, ka qenë Z.Dritan Hoxha i cili donte patjetër një festival që kishte qëllimin të prishte standardin e krijuar në muzikë dhe kërkonte diçka të re. Ai besoi tek ne, tek disa çuna të rinj që ishim në atë kohë, nga ana profesionale që të gjenim dhe të krijonim një strukturë. Ai na la dorë të lirë në përzgjedhje dhe kishte besim në atë  që do të servirnim. Nga një anë edhe më vjen keq që nuk është më sepse ishte një platformë e ndërtuar për këtë punë , një platformë e ndërtuar gjithmonë që të prezantohej një festival emergjent që gjithmonë surprizon dhe publiku është ai kryesori që informohet se çfarë ndodh. Është një strukturë shumë e mirë kur dikush investon në një formë që të vëjë në lëvizje 2,3 media, ndërkohë që sot duhet shumë investim në mënyrë që të bëhet diçka e tillë në  mënyrën si konceptohet industria e muzikës vetëm me videoklipe".