Një ditë pas tritolit/ Banesa e Xhisiela Malokut merret nën ruajtje nga FNSH

9 Tetor 2018, 11:21

KRUJË- Ditën e djeshme në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, në oborrin e përbashkët të shtëpisë së Besim dhe Ramazan Muçës, ky i fundit gjyshi nga ana e mamasë së Xhisiela Malokut, në shtëpinë e të cilit ajo jeton bashkë me nënën dhe motrën u vendos një sasi e vogël tritoli.

Një ditë pas shpërthimit, FNSH-të kanë marrë në mbrojtje Xhisielën. Përveç ruajtjes së banesës, forcat policore kanë shoqëruar në komisariat 16 persona, të cilët kanë probleme me drejtësinë.

Dje, në një prononcim për kamerat, pak pas ngjarjes pa zbritur nga makina e saj tip "Peugeot", Xhisiela bëri përgjegjëse Partinë Demokratike për tritolin që iu hodh në oborrin e shtëpisë, duke i çuar edhe një mesazh personal për Sali Berishën. Ajo i kërkon ish-kryeministrit ta lërë rehat atë dhe familjen e saj pasi sipas saj askush nga PD nuk iu gjend pranë.

Është mëse e qartë është bërë nga PD dhe opozita. Të vërtetën e di unë dhe vetëm unë. Unë dola thashë të vërtetën, ata dolën blof në lojën e tyre politike. Deri dje nuk isha e rrezikuar tani jam e rrezikuar nga opozita. Tani do ta pranoj mbrojtjen.  Çfarë do më ndodhë mua dhe familjes time në vazhdim, Partia Demokratike do mbajë pëgjegjësi të plotë. Kam dhe diçka në lidhje me Sali Berishën, personalisht. I kërkoj që ai dhe partia e tij të më lërë rehat mua dhe familjen time sepse ato kaë hallin e tyre jo hallin tim.