Një grup studentësh në Korçë ngujohen brenda Fakultetit, policia kyç derën

17 Janar 2019, 19:03

KORÇË- Mësimi vijon normalisht në Universitetin Fan S. Noli të Korçës por një grup studentësh mbasditen e sotme kanë vendosur të ngujohen brenda Fakultetit të Ekonomisë.

Gazetarja e Report Tv Iris Rezhda raporton se rreth 20 studentë ndodhen brenda ambienteve të Fakultetit ndërkohë policia private e Universitetit është prezente dhe nuk lejon asnjë person tjetër t'i bashkohet grupit të ngujuar. Ka qenë një postim i Këshillit Studentor të Universitetit Fan S. Noli i cili i bën thirrje edhe studentëve të Korçës të ngujohen. Sipas postimit, Këshilli Studentor kërkon rrëzimin e ligjit për Arsimin e Lartë si dhe plotësimin e 17 kërkesave të studentëve të Universitetit Fan S. Noli drejtuar Rektoratit pak ditë më parë, por që nuk janë plotësuar edhe pse afati i ultimatumit ka mbaruar. Mësohet se studentët do të qëndrojnë edhe gjatë natës duke përdorur mjete rrethanore për t'u ngrohur për shkak të temperaturave të ulëta në qytetin e Korçës. 

Kështu Korça bëhet qyteti i katërt në të cilin studentët zbatojnë idenë e ngujimit brenda Fakutleteve pas Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.