Një muze për figurat historike në Durrës/ Idriz Balani: Me skulpturën e parkut jemi deficitarë

27 Shkurt 2021, 14:26 | Përditesimi i fundit: 2021-02-27 14:29:09

Skulptura është vet motivi i jetës së tij. Prandaj, çdo mëngjes për mëse 40 vite e nis në studion e tij, me daltë dhe çekiç në duar, duke gdhend veprat e artit, portretet e heronjve të njohur të popullit shqiptar, që sot janë ekspozuar në hapësira publike brenda dhe jashtë vendit. Bëhet fjalë për artistin Idriz Balani, i lindur në Konispol dhe i rritur në Durrës, ‘në mekën’ e skulptorit Sabri Tuçi

“Unë jam rritur në studion e profesor Sabri Tuçit. Aty e nisa, edhe aty jo vetëm që kam mësuar shumë nga profesor Sabriu, por kam njohur edhe disa nga personalitet e asaj kohe, si Andrea Mano, Nexhmedin Zajmi etj. Të gjithë nxënësit dhe artistët e Durrësit, e kishin si Meka studion e skulptorit Sabri Tuçi”, rrëfen skulptori.

Rrjedha që mori jeta e tij në art, do të ndikohej në tematikat historike që do të trajtonte veçmas nga bisedat e përditshme në familjet e tij për masakrën ndaj çamëve

“Formimi im në periudhën që kaluam, por edhe origjina familjare dhe bisedat për masakrën çame më kanë orientuar drejt temave historike”.

Ndihma që i ka dhënë profesorit të tij Muntaz Dhramit në realizimin e Monumentit të Drashovicës, do të linte gjurmë të pashlyeshme në punën e tij si artist

“Ne kemi qenë ndihmës të profesor Muntazit, por ajo punë ka qenë më shumë se Instituti i Lartë i Arteve për ne, kishim të bënim me dhjetëra figura në bazareliev. Aty mësuam të ndërtojmë frymën monumentale që kishte vepra”, thotë artisti.

Këtë rrëfim për skulpturën Idriz Balani shpreh mirënjohje edhe për ish-pedagogët e tij, Hektor Dule, Thoma Thomai dhe Kristaq Ramën.