Një ndër 100 gratë më me influencë në botë! Ish-deputetja socialiste Rudina Seseri flet për sukseset, sfidat dhe jetën e saj

12 Janar 2020, 08:51

Të pakta janë gratë në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara, që kanë arritur suksesin e Rudina Seserit. Ajo është themeluese dhe partnere menaxhuese e kompanisë “Glasswing” që ka investuar mbi 100 milion dollarë në biznese të shumta, me një fokus tek Inteligjenca Artificiale. Revista “Entrepreneur” e radhiti zonjën Seseri në fund të vitit të kaluar, mes 100 grave me të fuqishme në biznes në Shtetet e Bashkuara. Në një bisedë në zyrën e saj në Boston me kolegen Keida Kostreci, zonja Seseri foli për sukseset dhe sfidat e saj, për periudhën kur u përfshi në politikë në Shqipëri, por edhe për atë që e motivon, si edhe balancimin e karrierës me jetën personale.

Siguria dhe fokusi, që kanë kontribuar tek suksesi që e radhiti Rudina Seserin mes 100 grave më të fuqishme të biznesit në Shtetet e Bashkuara nga revista e njohur “Entrepreneur”, reflektohet në reagimin e saj ndaj këtij vlerësimi.“Në këtë pikë të karrierës, e vlerësoj, jam mirënjohëse, mos më keqkupto, por i vë më pak rëndësi titujve, vlerësimeve. Jam shumë më e lumtur nëse një kompani e imja arrin diçka nga portofoli i investimeve, ose nëqoftëse ata marrin një titull, nëse ata shkrihen me një kompani tjetër për të arritur diçka më të madhe, ajo për mua është më e prekshme sesa një titull në një revistë, një artikull.”