Një prej grevistëve të Ballshit dërgohet me urgjencë në spital! Dautaj: Do i drejtohemi ambasadave

26 Shkurt 2020, 12:15 | Përditesimi i fundit: 2020-02-26 14:08:07

FIER- Ende asnjë zgjidhje për punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, të cilët prej 10 ditësh vijojnë grevën e urisë për 5 pagat e prapambetura. Një ndër punonjësit sot është dërguar me urgjencë në spitalin e Ballshit. Ndërkohë një ndër organizatorët e grevës së naftëtarëve Sokol Dautaj ka thënë se do t'i drejtohen ambasadave të huaja në vendin tonë. Dautaj ka thënë që asnjë nga rrogat nuk është hedhur në bankë. Ai shton se ndihen të braktisur nga shteti dhe po detyrohen të marrim rrugët e emigracionit.

"Sot ndodhemi në ditën e 10 të grevës së urisë. Ata kanë refuzuar çdo ndihmë mjekësore. Dje kemi pasur kontakte nga kompania. Ata kanë thyer çdo lloj besimi tonin. Ka pasur një afat të caktuar nga ana e tyre. Kjo ka sjellë gjendjen e agravuar të kolegëve në terren dhe në grevën e urisë. Kur shteti thotë se është privat me privat. Pronari thotë duhet të hyjë shteti rregullator. 

Nga kush duhet ta gjejmë zgjidhjen ne. Ne do bëjmë një apel shumë të fortë. Do i drejtohem ambasadës amerikane. Si do ketë zgjidhje këtë punë. Ambasadat le të reagojnë. Ne tashmë nuk do kërkojmë vetëm tre paga por pagat totale, ndryshe do ikim nga Shqipëria, do marrim rrugët e kurbetit" është shprehur Sokol Dautaj.

Mjekja që ka vizituar naftëtarët është shprehur që ata kanë refuzuar mjekimin. "Kemi ardhur për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të grevistëve por ata refuzojnë. Erdhëm si çdo ditë. Gjendja e tyre është e rënduar, por refuzojnë të pranojnë ndihmën mjekësore. Ne na refuzojnë çdo ditë" thanë ata.