Një tërmet me magnitudë 6.8 godet Turqinë lindore! Vdesin të paktën 21 persona, qindra ndërtesa të rrënuara

24 Janar 2020, 19:46 | Përditesimi i fundit: 2020-01-25 08:38:57

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 rihter ka goditur Turqinë lindore mbrëmjen e të premtes. Deri më tani sipas Ministrit të Brendshëm të Turqisë, janë shënuar të paktën 21 viktima , ndërkaq që mbi 100 banesa janë të rrënuara duke lënë pas mijëra të plagosur.

Epiqendra e këtij tërmeti të fortë ka qenë pranë zonës së quajtur Elazig, ku u shënuan edhe më shumë viktima dhe dëmet e mëdha materiale.  Thellësia e këtij tërmeti ka qenë 6.7 km, ndërsa lëkundja është shënuar në orën 17:55. Prej disa ditësh Turqia goditet nga lëkundjet e tërmetit, por intensiteti i tyre ka qenë shumë më i ulët sesa sot. Turqia është prekur nga tërmeti edhe gjatë ditës së mërkurë (22 Janar) në provincën perëndimore të Manisa ku u regjistrua magnituda 5.4 ballë. Me anë të një deklarate, kryetari i bashkisë së Elazig tha se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri dhe po punojnë për të shpëtuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ndërkohë në këtë qytet dhe në zonat përreth vijojnë paslëkundjet e vazhdueshme.