Një tjetër i arrestuar për skandalin e tjetërsimit të tokave tek Kepi i Rodonit

19 Nëntor 2019, 13:26

DURRES - Një tjetër person është vënë në prangat e policisë së shtetit në vijim të operacionit të koduar 'Rodoni', për tjetërsimin e 68 mijë m2 tokë te Kepi i Rodonit, duke e çuar në 16 numrin në total të personave pas hekurave për këtë skandal.

I arrestuari është Algert Rapi, 32 vjeç, banues në Katund i Ri, Sukth, Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim. Ndaj 32-vjeçarit Gjykata e Durrësit kishte caktuar në mungesë masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprën penale " Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

Më herët  gjatë operacionit u arrestuan 18 persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë, por tre prej tyre u lanë të lirë nga Gjykata. Tashmë me arrestimin e 32-vjeçarit në kërkim vijojnë të mbeten dy të tjerë, Lush Osmani administrator i një shoqërie private (Shpresa al) dhe Luigj Bushaj, përfitues toke, i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”.

Ndërkohë pak kohë më parë togat e zeza liruan nga burgu tre 'kokat' e këtij skandali, ish-drejtorin e Kadastrës, Ardian Iliazaj që u shkarkua "live" nga kryeministri Edi Rama,  Renaldo Pastërma ish-jurist dhe Albert Doda, një nga përfituesit e tokës.

Nga hetimet që kanë zgjatur për rreth një vit, mësohet se këta punonjës, mes tyre drejtues, juristë, hartograf, topograf, specialist duke shpërdoruar detyrën kanë tjetërsuar këtë hapësirë nga tokë shtetërore pa frut në tokë are, dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Ish-punonjësit, këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit. Gjithçka është zbuluar nga një kontroll që është kryer në vitin 2018, ku janë vërejtur paligjshmëri në regjistrimin e dokumenteve që shërbeu si pikënisje për të çelur hetimet.