TIRANË - Një strategji ndryshe kjo e kryedokratit Lulzim Basha për t'iu drejtuar qytetarëve si opozita tek e cila ata duhet të kthejnë shpresën. Një video, që teksa e sheh të duket se qëndron në Facebook-un e kryeministrit Edi Rama, dhe jo të kryetarit të Partisë Demokratike, që deri dje, radhiste njëra pas tjetrës varfërinë, mjerimin, korrupsionin, Shqipërinë, ku sipas tij zor se mund të jetoje. Një Shqipëri tjetër, me ngjyra, të rinj, të moshuar, të buzëqeshur, kujtime, natyrë, e bukuri të rralla të vendit tonë, shfaqen në videon që kryeopozitari ka postuar së fundi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social.
Pamje të mrekullueshme nga Shqipëria, nga njerëzit punëtorë, e ata me karrierë të veçantë që na bëjnë krenarë. Nga veriu në jug, kryedemokrati ka reklamur në këtë video Shqipërinë e bukur, duke pasqyruar edhe investime të rëndësishme të qeverisë, siç është shëtitorja në vijën bregdetare në Vlorë, "Lungomare", apo shumë qytete e zona rurale të zhvilluara në kuadër të "Rilindjes Urbane dhe projektit të 100 fshatrave.
Basha pranon se vendi ka sfida para, por thotë se pikërisht këto potenciale të jashtëzakonshme si njerëzore ashtu edhe të vetë natyrës, duhen vënë në jetë.
"Megjithë sfidat që kemi përpara, i yni është një vend mahnitës, me njerëz të talentuar dhe plot potenciale të jashtëzakonshme. Është koha që së bashku t'i vëmë në jetë", shkruan lideri demokrat në një postim bashkëngjitur videos.
Kryedemokrati shfaqet edhe vet në fund të videos ku thotë: Shqipëria ime, ka ardhur koha të nxjerrësh në dritë potencialin e jashtëzakonshëm që ke.