Një vit më parë vuri në skenë 'Kopracin' e Molierit, shuhet regjisori Dhimitër Orgocka

1 Janar 2021, 15:21

Regjisori dhe aktori korçar Dhimitër Orgocka është shuar në moshën 84-vjeçare. I shtruar prej dy ditësh në spital pas një hemorragjie cerebrale, artisti nuk arriti t’ia dalë dot.

Dhimtër Orgocka ka realizuar në skenën e teatrove shqipfolëse rreth 105 premiera si regjisor, ndërsa vet ka interpretuar si aktorë mbi 82 role.

Në dramën “Dashuria e madhe” të Fatmir Gjatës ka luajtur rolin e parë, ndërsa drama “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços do t’i jepte artistit titullin regjisor. Nuk kanë munguar angazhimet e tij edhe në kinematografi, si tek filmat “Yjet e netëve të gjata”, “Gjeneral gramafoni” apo  “Asgjë nuk harrohet”.

Shfaqja e fundit, që Orgocka ngjiti në teatrin “Andon Zako Çajupi” është “Kopraci” i Molierit gjatë vitit 2019.

Është vlerësuar me çmime në teatër, por mban edhe titullin “Artist i Popullit”.