Infermierët e diplomuar mes viteve 2002-2006 nuk iu njihet më si master shkencor diploma e tyre 4-vjeçare dhe se veç uljes së pagës që vjen me këtë ndryshim ata duhet të kthejnë pas shtetit paratë e marra prej vitit 2015.
Rreth 4 mijë infermierë, një pjesë e të cilëve me mbi 10 vjet eksperiencë pune, do të jenë pjesë e këtij ndryshimi i cili iu kërkon kusht Masterin Shkencor për të pasur pagën e mëparshme.
Këtë situatë e bën me dije në një deklaratë në rrjetet sociale, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, e cila thotë se shpreh indinjatën me mënyrën e diskriminimit që po iu bëhet një kategorie të caktuar të infermierëve në vend.
Infermierët e cilësojnë një veprim të padrejtë faktin që Ministria e Arsimit nuk iu njeh diplomën si një kualifikim Master por Bachelor. Shoqata iu bën thirrje të gjithë infermierëve në vend të prekur nga ky vendim por dhe çdo infermieri apo teknicieni tjetër që dëshiron të mbështesë këtë kategori të prekur. Shoqata njofton se do të bëhet një peticion i cili do t’i dërgohet Ministrisë së Arsimit, Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" Tiranë, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit, Kryeministrit Edi Rama si dhe Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Infermierët kërkojnë një zgjidhje dhe nëse kjo nuk arrihet ata njoftojnë se do t’i drejtohen gjykatës.