Fier, shpëtoi dy fëmijët nga mbytja në lumin Gjanicë, flet i riu ‘hero’

28 Janar, 11:44 | Përditesimi i fundit: 2021-01-28 14:49:33

Dy fëmijë romë duke luajtur anës lumit Gjanicë kanë rënë në lumë, por fatmirësisht janë shpëtuar nga një qytetar i rastësishëm që ndodhej aty pranë.

I riu që i ka shpëtuar, Redion Mita tregon se si ka ndodhur ngjarja. Ai thotë se kishte dalë për xhiro kur ka parë se njërit prej fëmijëve i ka shkarë këmba. Së pari ka rënë një prej fëmijëve, ndërsa tjetri është hedhur për të shpëtuar motrën. Të dy i ka marrë rryma dhe Mita është hedhur dhe i ka nxjerrë.

“Kisha dalë xhiro dhe i pashë te kangjellat njërit prej fëmijëve i shkau këmba. Tjetri u hodh për të ndihmuar të motrën dhe aty i mori rryma dhe i solli deri këtu. E pashë se skishin shpëtim, u hodha i nxorra jashtë. Vajza vajti zëre e vdekur, kurse djali rezistoi pak më tepër, vajzën e nxora të parën të dytin djalin. Erdhi ambulanca, i mori dhe i çoi në spital”, thotë Redion Mita.

“Po loznin 3 fëmijë në buzë Gjanicë, në buzë të trotuarit të lumit dhe i shkau njërit këmbë. U hodhën njëri pas tjetrit. Unë isha afër thirra këtë djalin ky djali dhë ndihmoi. Ky është një djalë i mbrekullueshëm dhe tregoi një humanizëm të madh”, thotë një qytetar që pa ngjarjen.

“Një çun tjetër më ndihmoi mua që e kapën atë për dore dhe e tërhoqëm lart. I dhamë ndihmën e shpejtë, pak ujë u përmend shpejt. Ajo vajza tjetër ngeli atje.  Rëndësi ka që shpëtuan bravo i qoftë atij çunit”, vijon një tjetër qytetar.

Kategori të tjera