Njeriu i momentit, Uzuni: Do vazhdoj me këto ritme në Champions League, bojkoti i futbollit shqiptar të marrë fund

28 Shtator 2020, 13:32

Myrto Uzuni është njeriu i momentit në kombëtaren shqiptare, pasi 25-vjeçari me ekipin e Ferencvarosh, të cilit iu bashkua vetëm në gusht, ka arritur të realizojë dy gola në Champions League. Një kundër Dinamos së Zagrebit që i dha kualifikimin në ‘play-off’ dhe një tjetër javën e kaluar kundër Molde-s. Për Report Tv Uzuni tregon çelsin e suksesit për këtë moment fantastik që po kalon.

“Kanë qenë të dyja shumë të bukura sepse kamë realizuar në të dyja ndeshjet. Stafi dhe trajneri më kanë uruar për paraqitjet e bërë dhe jam shumë i lumtur për këtë pjesë. Kam besimin e plotë për stafin drejtues dhe kjo më bën të vazhdoj me këto ritme, me këto suksese,”-shprehet futbollisti.

Myrto është një futbollist që para se të luante me Ferencvarosh, Lokomotivën e Zagrebit dhe Laçin, ka qenë pjesë edhe e Beratit apo Apolonisë në Kategorinë e Parë shqiptare. Për këtë ai thotë:

“Të shkuarën e kujtoj gjithmonë, pasi ajo është forca imë më e madhe për të vazhduar para,”-deklaron ai.

Myrto Uzuni ka edhe një koment për bojkotin e futbollit në vend, që për shkak të katër kërkesave ndaj qeverisë ende se ka nisur kampionatin.

“Bojkoti e ka vështirësuar më shumë akoma kampionatin shqiptar. Uroj t’I kthehemi sa më shpejt normalitetit dhe të shohim ekipet shqiptare në fushën e lojës,”-u shpreh ai.

Të martën Uzuni dhe Ferencvarosh do zhvillojnë ndeshjen e dytë ‘play-off’ kundër Molde-s, me synimin për t’u bërë pjesë përfundimtare e Champions League për sezonin e ri.