'Non-Paper'-i slloven për ndryshimin e kufijve në Ballkan, Rama-medias austriake: Turp! Kurrë s'e kam thënë apo mbështetur një gjë të tillë! Fake News

3 Maj 2021, 17:52 | Përditesimi i fundit: 2021-05-03 17:52:19

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht lajmin se është në dijeni apo të ketë mbështetur një plan për ndryshim kufijsh në Ballkan.  Kjo përgjigje vjen pas një shkrimi nga gazeta austriake “Der Standard” e cila pretendon se citon kryeministrin shqiptar Edi Rama të ketë deklaruar se e ka parë atë dokument dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufijve.

Shkrimi vijon më tej duke thënë se kreu i qeverisë së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë 3 vjet më parë, por Rama e ka cilësuar si të turpshëm këtë artikull, duke theksuar se as nuk e ka parë kurrë këtë hartë dhe as nuk ka mbështetur një ndryshim kufijsh."@derStandardat  @Eebstandardat, çfarë zhgënjimi për të parë një gazetë me kaq reputacion të lartë të sillet si një përhapës i lajmeve të rreme! Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në lidhje me "non paper" dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë vizatim kufiri përgjatë vijave etnike midis Serbisë & Kosovës!  Turp", shkruan Rama. Çfarë shkruante media austriake për kryeministrin Edi Rama?
Në shkrimin ku fliste për ndryshimin e kufijve në Ballkan, media austriake thotë se kryeministri Edi Rama ka konfirmuar ekzistencën e një dokumenti të tillë. “Nëse ndiqni argumentet e zyrës së Jançës, dokumenti nuk ekziston fare, por në të njëjtën kohë në zyrën qeveritare në Lubjanë pretendohet se vinte nga opozita e majtë në Slloveni. Kështu që mbetet e paqartë se si një letër që as nuk ekziston mund të vijë nga opozita. Çështja mbetet e paqartë. Të tjerët tashmë kanë konfirmuar ekzistencën e ‘non-paper’. Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha medias shqiptare se ai kishte parë dokumentin dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. Vetë Rama, së bashku me Vuçiç, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë”, shkruhej në artikull.