Normaliteti rikthen shkeljet! Të dehur dhe pa patentë, arrestohen 18 shoferë, 'kërdi' me gjoba

31 Maj 2020, 13:45

TIRANË-Me lehtësimin e masave kufizuese për lëvizjen e lirë të mjeteve janë rikthyer shkeljet dhe bashkë me ato edhe gjobat nga policia.

Policia e kryeqytetit  në 24 orët e fundit ka arrestuar në kushtet e flagrancës 18 drejtues mjetesh, nga të cilët 11 në gjendje të dehur dhe 7 të pa pajisur me leje drejtimi.

Janë pezulluar 107 leje drejtimi, nga të cilat 23 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 74 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 10 për shkelje të tjera të ndryshme. 78 gjoba janë vendosur për shkelje të semaforit.

Janë gjobitur 358 drejtues mjetesh të ndryshme, të cilët janë konstatuar se qarkullonin apo kishin ndaluar në korsitë e dedikuara të shërbimit publik dhe në pistat e rezervuara për biçikletat.

Por gjithashtu janë gjobitur 93 drejtues biçikletash, të cilët janë konstatuar duke qarkulluar në pistat që nuk janë të rezervuara për to.