Nuhu’, Balla dorëzon tabulatet në prokurori: S’kam qenë në Fushë Krujë, të pyetet Basha

4 Tetor 2018, 19:06 | Përditesimi i fundit: 2018-10-04 20:55:44

TIRANE-Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla pasditen e sotme ka qenë për rreth dy orë në prokurorinë e kryeqytetit në kuadër të hetimeve pas denoncimit të ish-oficerit të policisë së Fushë Krujës, Emiljano Nuhu. REPORT TV mëson se Taulant Balla ka dhënë dëshminë e tij para prokurores Elsa Miha për kallëzimet që ka depozituar në organin e akuzë.  Emiljano Nuhu akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan në komisariatin e Fushë Krujës në datë 21 korrik.

Por Balla ka mohuar kategorikisht se ka qenë në komisariat, ndërsa ReportTv mëson se ka dorëzuar në prokurori tabulatet telefonike duke vërtetuar sipas tij se nuk ka qenë në Fushë Krujë në datë 21 korrik sikur pretendon Nuhu. Ndërsa prokuroria në hetimin e thelluar do të kërkojë nga kompania celulare qelizat telefonike, të cilat tregojnë vendndodhjen e saktë të Ballës përmes telefonit celular në datë 21 korrik.

Ndërkohë pas daljes nga prokuroria e Tiranës në një prononcim për mediat, Balla është shprehur se dorëzoi shtesë për kallëzimin ndaj Bashës, Çollakut, Alibeajt, Palokës dhe Nuhut, ndërsa nesër paralajmëroi se do të paditet edhe Strazimiri. Balla ftoi Bashën që të shkonte në prokurori për të dorëzuar provat që kishte për akuzat që ngriti kundër tij dhe garantoi se do të fitonte betejën. Në fund të prononcimit të tij, kryetari i grupit të PS, ftoi Bashën që të paraqitet në prokurori në datë 10 tetor për cështjen tjetër në hetim.

Ish-oficeri i Krujës, Nuhu që kërkoi azil në Zvicër pretendon se në datë 21 korrik është kërcënuar më armë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzon se në datë 21 korrik vëllai i deputetit i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.

Por Nuhu, kur bëri më 30 korrik kallëzimin në Komisariatin 6 të Tiranës, duke denoncuar se ishte kërcënuar pasi po hetonte çështjen e Xhisielës, nuk i referohet aspak episodit të 21 korrikut. Kufizohet vetëm të thotë se pasditen e 30 korrikut dy kushërinj të Rexhep Rrajës, Redian dhe Ramazan Rraja, e kanë kontaktuar nëpërmjet Ëhat’s up-it, duke kërkuar ta takonin në Tiranë. Sipas policisë që heton mbi këtë çështje, këto kërcënime me armë në të vërtetë nuk kanë ekzistuar dhe Emiljano Nuhu ka vendosur t’i shpikë ato vetëm para se të arratisej, në mes të gushtit, për ta bërë më të besueshme dhe solide kërkesën për azil politik.

Prononcimi i plotë i Taulant Ballës pas daljes nga prokuroria
Zoti Balla çfarë dëshmuar në prokurori?
Sikur jeni në dijeni për një kallëzim penal në datë 27.9.2018 në fillim në ngarkim të Bashës, Nuhut dhe Collakut, të plotësuar sot në kallëzimet ndaj Alibeajt dhe Palokës dhe besoj që do të plotësojmë nesër në ngarkim të Strazimirit për të cilët u vendosa në dijeni që prokuroria ka ngarkuar procedim penal 02.10.2018. Prokurorja Elsa Miha që dëshmova u informua prej meje për rrethanat në ngarkim të këtyre shtetasve dhe kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë kallëzimin tim penal në krye të të cilëve është Basha. Unë e garantoj publikun, që do ta fitoj këtë betejë jo në interesin tim por të shqiptarëve që nuk duan më këtë lloj politike, që një budalla si Basha hedh një gurë në lum, ndërsa tani ka detyrimin që të vijë këtu dhe të thotë se cfarë provash ka për t’u mbrojtur në kallëzimin ndaj tij. Basha është akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Ka ardhur momenti që kësaj politike që degradon dhe shpifja me qëllim duhet të marrë fund.

Ju ishit me vullnetin tuaj në prokurori apo u thirrët?
Unë kam ardhur për të depozituar një dosje provash që justifikojnë kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse është i rremë unë mbaj përgjegjësi.

Sa qëndruat?
Gati 120 minuta. Ky është një grup i strukturuar,Basha-Nuhu dhe Collaku dhe persona të tjerë që fabrikuan një inskenim të turpshëm. Kam deklaruar në kallëzimin tim se nuk kam qenë në Krujë.

Ju kërkoj shpjegime prokurorja edhe për cështjen Nuhu?
Cështjet që isha unë, ishte vetëm për kallëzimin tim penal. Në datë 10 Basha nëse kthehet në Shqipëri, se ati 6 ditë është jashtë dhe vetëm një ditë këtu, e pres edhe në gjykatën e Tiranës dhe për një cështje tjetër. Prokuroria, Bashën ta thërrasë sa më shpejt për të sqaruar sa më shpejt opinionin. Një opozitë pa program ka përfunduar në prodhimin e Babaleve.