'Nuk ka festë në Ditën e Verës', Kryebashkiaku i Elbasanit: Qytetarët të mos dalin, policia e ushtria në rrugë për të ndaluar qarkullimin

13 Mars 2020, 22:12

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gletjan Llatja ka sqaruar për të gjithë banorët e shqetësuar për grumbullimet e mundshme, por dhe vetë atyre që mendonin se nesër mund të festonin Ditën e Verës, që kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Pavarësisht se Dita e Verës është një festë tradicionale në Elbasan, ku njerëzit mblidhen nga të gjitha vendet për të festuar, kjo nuk do të ndodh këtë vit dhe fajtor është koronavirusi. Në një lidhje live në emisionin "Pa Protokoll" Llatja theksoi se Elbasani që nga dita e sotme ka shmangur grumbullimet dhe qarkullimin e mjeteve ku janë vendosur disa patrulla në akset kryesore ku nuk lejohen as hyrje dhe as daljet e makinave pa një autorizim përkatës. Ai u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi dhe paralajmëroi se grumbullimet nuk do të lejohen. Ndërsa në lidhje me lokalet dhe restorantet, ai tha se është dhënë urdhër që të mbyllen të gjitha.