Nuk ka rrjedhje votash, shumica solide ka miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ligjin për mbylljen e lojërave të fatit deri në 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa ka rrëzuar edhe dekretin e Presidentit për ligjin e Teatrit të ri Kombëtar duke i hapur rrugë ndërtimit të godinës së re mbi ngrehinat e atij aktual. Gjithashtu Kuvendi ka miratuar edhe ligjin për ndalimin e pijeve energjike të fëmijët nën 18-vjeç. Në seancën e sotme mungonin katër deputetë të Partisë Socialiste; Ditmir Bushati që ndodhej jashtë vendit, Tatiana Pirro për shkak të një fatkeqësie familjare, Fidel Ylli (arsye te paqarta) dhe Gjetan Gjetani pasi është përjashtuar nga grupi i PS. Opozita nuk ishte e pranishme në Kuvend duke vijuar bojkotin e nisur që në nisje të këtij sesioni parlamentar.
Ligji për Lojërat e Fatit
Ligji për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit deri në 31 dhjetor të këtij viti u votua me 75 vota pro dhe asnjë kundër. Në ligjin e ri që hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, por që do të zbatohet duke nisur nga data 1 janar e vitit 2019 është pranuar amendamenti i Bushatit për cilësimin e hoteleve me ‘5 Yje’, por jo ai i deputetit Braçe për dyfishimin e tatimit duke u shtyrë për kalim në momentin që do të diskutohet paketa fiskale.
Pas miratimit të ligji Rama reagoi menjëherë duke u shprehur se lojërat e fatit do të mbyllen 100%. “Kuvendi sapo miratoi me 100% të deputetëve të pranishëm NDALIMIN E BIXHOZiT (kazino elektronike dhe baste të çdo lloji off apo online) në 31 dhjetor. Fjalët mbrapsht shpifësve të çdo kanali e portali, ndërsa me aktorët e Kinoshqupit kemi dhe gjyqet se do paguajnë një më një ata” tha Edi Rama.
Ligji për Teatrin Kombëtar
Në seancën e sotme Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar. Me 74 vota pro shumica ka vulosur ligjin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që Pandeli Majko nuk mori pjesë në votimin për rrëzimin e dekretit të Metës. Ndërkohë që Rama reagoi duke u shprehur se 'Majko ka kokën e tij'.
Në 11 tetor, Kreu i shtetit, Ilir Meta refuzoi sërish miratimin e ligjit të maxhorancës. Në dekretin e ri të Presidentit evidentoheshin në total 9 shkelje ligjore, të cilat sipas Metës nuk ishin reflektuar nga shumica.
Por Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese sot në mëngjes në orën 09:00 e shqyrtoi duke e rrëzuar, ndërsa më pas Kuvendi i vendosi vulën duke e rrëzuar përfundimisht. Me miratimin në Kuvend ligji futet në fuqi për 15 ditë për të hapur më pas garën për kompaninë që do të ndërtojë Teatrin e ri kombëtar.
Ligji për ndalimin e pijeve energjike
Një tjetër ligj me rëndësi që u miratua sot në Kuvend ishte edhe ai për ndalimin e pijeve energjike për të miturit poshtë moshës 18-vjeç. Projektligji u miratua me 75 vota, ndërsa parashikon kufizimin e marketingut. Nismëtari i ligjit, Erjon Braçe renditi edhe rreziqet te fëmijët nga konsumimi i këtyre pijeve, ndërsa projektligji parashikon gjobë 10 mijë lekë kush u shet pije energjike fëmijëve, por edhe për prindërit. Gjithashtu sot Kuvendi zgjodhi edhe anëtarin e pestë për Komisionin e Monitorimit të Reformës në Drejtësi, që është Petrit Plloqi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend kryeministri Edi Rama u shpreh se;
I dënuar për pengmarrje, plagosje, shkatërrim prone dhe prodhim të lëndëve plasëse, për trafik ndërkombëtar droge, për shfrytëzim prostitucioni. Këto janë skedat penale të pronarëve të kompanive të basteve, personazhe të një bote që pak ka pasur që të bëjë me ligjshmërinë dhe mbarëvajtjen. Biznesi u transformua në hapësirën e pa kufijshme deri në 2013 dhe tamam sikur e theksoi kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe financave është e pavërtetë se pas zhvillimit të operacionit Fundi i Marrëzisë, marrëzia është zhvilluar ende më. Ky është një kancer social. Kemi qenë këtu në sallë kur janë bërë përpjekjet për të ndalur lojërat elektronike. Në mandatin e parë nuk ia dolëm të votojmë në bllok, por bëmë një kompromis që për herë të parë me Brace, theva edhe rregullin e votimit duke refuzuar për të mbyllur kazinotë në fund të dhjetorit.
Në ndërkohë ndodhi që pak nga pak u krijua vetëdija se vendimi ishte i paplotë. Vendimi ka një dobi të jashtëzakonshme për të mbrojtur ekonominë dhe goditur krimin në një nga vatrat e veta më aktive. Ndihma ekonomike lihet në bixhoz. Duhet të garantojmë që nuk ka burrë që prek ndihmën ekonomike, do ta marrin gratë që ta çojnë në shtëpi. Duhet gjetur rruga që të garantohet sepse nuk funksionin si e tillë kudo, duhet të garantohet që pas mundësisë së dytë për punë të refuzuar ti e humbet ndihmën ekonomike. Deri tani e kemi kaluar targetin për punësimet duke kaluar 25 mijë vetëm përmes zyrave të punës, por nuk arrihet më tepër sepse refuzon punën që i ofrohet, del nga ndihma në gusht, rifutet në shtator, por nuk mund të jetë kështu, që të marrësh ndihmën nëse refuzon në mënyrë kronike punën që refuzon.
Edhe këta që do të dalin pa punë nga nisma do të marrin ndihmën e tyre. Sot është minuta e së vërtetës edhe për shpifjen e thënë nga kazani këtu mbrapa parlamentit, i madh i shpifjeve dhe kazan në kazan, portal në portal nga lloj lloj personazhesh që e rrokanisën kokën e këtij populli me teorinë që kjo mbyllje është një dardhë që e ka bishtin mbrapa duke u thënë njerëzve se po mbyllen bastet se kishte....vota e sotme do të tregojë sot se kush janë këta që nuk janë. Këta që janë të angazhuar me mish dhe atë pak shpirt që u ka mbetur me shpifje nga mëngjesi deri në darkë. Më e bukura që kam dëgjuar është një shprehje ‘e bën Rama për të tërhequr vëmendjen’.
Pra gjithë kjo goditje bashkë me goditjen e krimit të organizuar dhe të fortëve.... Kur po bëhen gati një aktor tjetër nga PD, në versionin Luli dhe Mona, nga këta po e tërheqim vëmendjen ne!!! Ne po bëjmë luftë frontale me të këqija të rrënjosura thellë. Le të më thonë një emër nga seria narko babale që u krijua dhe u bë i famshëm me ardhjen në qeveri të PS-së. Këta kanë vite që janë strukturuar dhe ne duhet tu kujtojmë pak shqiptarëve se nuk kemi kohë të merremi me këta dhe jo më të tërheqim vëmendjen nga kino-shqupi.
Në 2009 janë hapur burgjet. Në zgjedhjet e vitit 2009 u hapën burgjet dhe kjo është e raportuar nga ambasada amerikane. Ishim bashkë me Paudin Sterkajn atëherë në mbrojtje të votës. Dhjetëra kriminelë të nxjerrë me leje lindje për një javë për të shkuar dhe për të bërë punën që bënin dhe në atë kohë kishim brenda PS grupin e mbrojtjes së votës, por nga cilët? Grupin e mbrojtjes së njerëzve, por nga kush sloganet apo mitingjet, jo presioni i të inkriminuarve. Atyre që kanë dërguar ato mesazhe, që i kanë orkestruar apo prositur nga jashtë apo brenda burgut, iu japim përgjigje tani me ndalimin përfundimtar të bixhozit dhe më pas me të tjera sikur nuk i kanë parë as në ëndërr.
Edi Rama