'Nuk ka siguri o shpirt, kush të mbron?' Fqinjët flasin pas plagosjes së çiftit në Tiranë

20 Janar 2020, 10:24 | Përditesimi i fundit: 2020-01-20 10:30:09

Përleshja mes çiftit që bëri rezistencë dhe autorëve ndodhi në korridorin e katit të dytë të vilës, pasi kati i parë ishte i përshtatur në biznes. Por si e njohin familjen Laze dhe si e mësuan ngjarjen fqinjët? Disa prej tyre u shprehën për Report Tv dëgjuan të shtënat gjatë tentativës së grabitjes.

"Kanë 20 vite këtu, janë familje e mirë, në punë dhe hallin e tyre. Hajdutët duhen varë, shteti nuk duhet të ketë mëshirë në këto raste. E mora vesh kur dëgjova zhurmën, të shtënat. Çifti ka një djalë dhe një vajzë. Kanë biznes, furrë buke" tha njëri prej tyre.

"Nuk ka siguri, kjo është siguria. Ai tjetri furnizon popullin me bukë, ai tjetri nuk të lë. Ngjarjen e mora vesh kur erdhi një makinë policie" tha një tjetër.

"Ata shikonin punën e tyre që kur erdhën këtu. I kemi të afërm nga Korça. Na erdhi shumë keq, se janë edhe prindër. E shoqja ka qenë e sëmurë rëndë. Ai i shkreti të shpëtojë për jetën e tij. Ata janë të njohur, që të hyjnë brenda, se i huaji që nuk i njeh nuk hyn brenda" tha një tjetër banore.