‘NUk kam këllqe’, studenti ironizon rektorin e UBT-së, përfshihet dhe Rama në debat

18 Dhjetor 2018, 14:23

Një tjetër student ka krijuar debat në takimin e sotëm të zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Teksa i ka kthyer përgjigje Ramës në lidhje me nivelin e formimit, i riu ironizoi shprehjen e rektorit të universitetit, duke thënë "s'kam këllqe".

“Na falni për edukatën, se kaq formim kemi. Se kemi një rektor që na tregon këllqet se sa i ka këtu. S’jam ekselent, kam dhe provime të mbartura”, tha studenti, duke iu rikthyer mënyrës së të shprehurit të rektorit përpara se fjalën ta merrnin studentët dhe kryeministri. “Nuk është në këllqet e mia që t’u jap përgjigje për të gjitha pikat pyetjet, pasi disa prej tyre dalin jashtë juridiksionin që ka universiteti”, tha rektori.

Brahri Musabelliu nuk vonoi shumë për të rimarrë sërish fjalën."Kur unë kam kandiduar në këtë post dhe kam pyetur veten nëse kam apo jo këllqe. E marr si ofendim dhe më vjen keq që të artikulohet nga një student. Nëse s’do kisha këllqe, e ftoja që dje kryeministrin. Po ngaqë jam përgjegjës për detyrën, ju dëgjova juve, kam zbardhur kërkesat tuaja. Unë s'kam këllqe që të them se do ul tarifat. Kam këllqe për gjëra të tjera. Kam këllqe që në pikën e 7 nuk dialogoj për biblioteka europiane. Por mos harroni se ky universitet ka pasur biblioteka më të mira. Por u dogjën në ’97. Më vjen keq që të artikulohet gjëra që nuk qëndrojnë.”