'Nuk kemi ku të gjejmë shtëpi me qira...' Banorët e Thumanës të strehuar në Shëngjin në grevë urie: Bashkia të na gjejë strehim

28 Dhjetor 2019, 17:10 | Përditesimi i fundit: 2019-12-28 17:18:47

Banoret e Thumanës të strehuar në hotelet e Shëngjinit kanë refuzuar ushqimin ditën e sotme në shenjë proteste. Kjo grevë ka ardhur pasi siç shprehen ata përfaqësues të bashkisë se Krujë u kanë dhënë afat deri me datë 3 janar qe të lënë hotelet ku janë akomoduar përkohësisht pas tërmetit të 26 nëntorit.

Përfaqësuesit e bashkisë u kanë kërkuar që të gjejnë banesa me qira të cilat do t'i paguaj vetë bashkia, por banorët refuzojnë këtë marrëveshje pasi sipas tyre e kanë të pamundur që të gjejnë apartamente me qira dhe sikur të mos mjaftonte kjo çmimi i qirasë ka pësuar një rritje të ndjeshme pas tërmetit të 26-nëntorit që la pas 51 viktima dhe pa strehë mijëra familje.

"Është absurde, na vrau iher tërmeti. Shpinë me qira ku ta gjejë? Tja japi personit vetë shteti bonusin, pse tma japi mua.. Mos të na vrasi shteti për së dyti" u shpreh një banorë.

Banorët e strehuar në Shëngjin i kanë bërë thirrje qeverisë që të mos u japë bonusin por tu gjejë shtëpi dhe marrëveshjet me qiradhënësin ta bëjë vetë bashkia.

"Erdhi dikush i bashksë por ne skemi mundësi skam ku te shkojë. Na e rrëzoi Zoti pallatin por të na strehojë si njerëzit." tha një banorë tjetër.

"Me ato lek ne nuk e përballojmë dot. Shteti të na e gjejë vetë" tha një banore në Shëngjin.

Banorët e Thumanës, Laçit e Mamurrasit vijojnë që të jenë të strehuar në hotelet e Shëngjinit prej afro një muaji dhe akoma nuk janë ulur me organet kompetente për të gjetur një zgjidhje se çfarë do të ndodh pas 3 Janarit. Ata bëjnë me dije se nëse nuk do tu jepet zgjidhje, do të vijojnë të refuzojnë ushqimin në shenje protesta deri sa të merren në konsideratë.