'Nuk kemi shpresë për Europian', Ish-kapiteni Rudi Vata në Report Tv: Mavraj të largohet, Panucci na konsideronte njerëz me lesh

9 Shtator 2019, 20:46

I ftuar në studion e Report Tv, ish-kapiteni i Kombëtares tonë, Rudi Vata ka deklaruar se Shqipëria pas humbjeve të pësuara ndaj Kampionëve të Botës nuk ka shpresa për Europian por thjeshtë duhet të luajë për të kthyer shpresat për të ardhmen.

"Nuk mendoj që kemi shpresa për Europianin. Nesër është ndeshje e rëndësishme për të ardhmen por jo për Europianin. Edy Reja, ka kapur se kush janë lojtarët e vërtetë që do t'i shërbejnë Shqipërisë. Nuk mendoj që ka shqiptarë që janë të kënaqur me ndeshjen me Francën. sigurisht që kishim kundërshtar shumë të madh por edhe ne kemi lojtarë që paguhen si profesionistë që duhet të jenë në gjendje që të luajnë një futboll të denjë që të bëjnë me shpresuar për më shumë." ka thënë Rudi Vata.

Vata është pyetur nga gazetari i Report Tv, Besard Jacaj në lidhje me ndeshjen e nesërme që Kombëtarja jonë ka në Elbasan Arena kundër Islandës, ku ka thënë se është një ndeshje e vështirë, por ama të gjitha rezultatet janë të mundshme.

Ish-futbollisti ndër të tjera ka komentuar edhe 'sherrin' që ka me lojtarin e Kombëtares Mërgim Mavraj. Sipas Vatës, Mavraj ka ardhur koha që të largohet nga kombëtarja ashtu siç bëri Lorik Cana kur ishte në moshën e tij. Kujtojmë se 'thumbimet' në distancë mes Mavrajt dhe Vatës erdhën pas humbjes së Shqipërisë 4-1 përballë Francës.  

Po ashtu në fund gazetari i Report Tv, Besard Jacaj, e ka pyetur Vatën në lidhje me krizën që kaloi klubi i Vllaznisë. Ish-kapiteni i Kombëtares ka thënë se këtë klub e ka shkatërruar politika dhe se për këtë janë përgjegjës dy kryebashkiakët e fundit të Shkodrës.