Nuk mbajtën maskën, gjobiten 688 qytetarë! 13 shoqërohen në polici se nuk i dhanë policisë ID

25 Tetor 2020, 15:06

TIRANË- Në ditën e 10 që kur maska është vendosur me detyrim, vijon të mbetet i lartë numri i qytetarëve që nuk e zbatojnë këtë rregull. Për pasojë, gjatë ditës së sotme, uniformat blu kanë gjobitur 688 qytetarë që ishim pa maska, e ndërsa 13 janë shoqëruar në polici pasi refuzuar që t'i jepnin policisë mjetet e identifikimit.

Gjoba janë vendosur edhe për shoferët që ndonëse nuk udhëtonin në makinë me familjarët e tyre, sërish nuk mbanin maskë.

Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 688 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat  e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. 

Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar edhe 556 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse. Për këtë arsye, secili prej tyre është ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë.