Nuk mbyllën llotot, policia procedon dy pronarë pikash bastesh në Tiranë

3 Janar 2019, 17:38

TIRANE - Edhe pse ligji që ndalon ushtrimin e aktivitetit të basteve sportive ka hyrë në fuqi prej datës 1 janar 2019, dy sallone në Tiranë kanë vijuar punën. Nga kontrollet e ushtruara nga policia e Tiranës janë konstatuar dy subjekte në kryeqytet në rrugën "Bardhok Biba" dhe "Muhamet Allushi", që nuk e kanë zbatuar ligjin, por kanë vijuar aktivitetin.

Dy pronarë të basteve janë proceduar nga policia, më konkretisht T.C., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E.B., gjithashtu banues në Tiranë. Ndaj tyre rëndon akuza “Organizimi i llotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Policia paralajmëron se "kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor. Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital” çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme".

Ligji për mbylljen mesnatën e 31 dhjetorit 2018, në të gjithë territorin e Shqipërisë, kazinotë elektronike, bastet sportive, sallat e bingove, bastet on line, bastet me gara në pistë, u miratua nga Parlamenti në fund të muajit tetor të vitit të kaluar.

Lajmi bëri jehojë edhe në mediat ndërkombëtare. “Shqipëria miraton ligjin që ndalon bastet sportive, kryesisht ato në internet, shumë të përhapura në vend, me qëllimin për të luftuar kundër krimit të organizuar, shhkruanin mediat prestigjioze si AFP, “Washington Post”, “Reuters” apo “Associated Press”. Ndërsa sa i takon kazinove, ligji parashikon zhvendosjen e tyre në hotele me "5 yje".